Muzeu Vasa

Shqipe

Vasa është anija e vetme e mbijetuar e shekullit të 17-të në botë. Me mbi 95 për qind të pjesëve të saj origjinale të ruajtura, dhe e zbukuruar me qindra skulptura të gdhendura, Vasa është një thesar unik arti dhe një nga kuriozitetet turistike më të rëndësishme në botë.

Anija është ekspozuar në një muze të ngritur për këtë qëllim në Stokholm, i cili përfshin gjithashtu edhe nëntë ekspozita shoqëruese, një dyqan me artikuj të shumtë dhe një restorant të klasit të lartë. Filmi mbi Vasa-n mund të shihet në gjashtëmbëdhjetë gjuhë. Muzeu Vasa tërheq më shumë vizitorë se çdo muze tjetër në Skandinavi. Ia vlen vërtet të vizitosh Stokholmin vetëm për Vasa-n.

FUNDOSJA

Me 10 gusht 1628 ngriti një anije e madhe luftarake velën dhe u nis për të lënë limanin e Stokholmit. Anija ishte e sapondërtuar dhe e pagëzuar me emrin Vasa, sipas stemës së familjes sunduese Vasa. Për të shënuar rastin solemn, në shenjë përshëndetje u gjuajt me topat që zgjateshin në frëngjitë përgjatë anëve të saj.

Ndërsa anija e fuqishme vazhdoi ngadalë drejt hyrjes së portit, një shkulm ere u ngrit papritur. Vasa u anua, por u drejtua përsëri vetë. Një shkulm i dytë ere e rrëzoi anijen në krah. Uji vërshoi brenda përmes frëngjive të hapura të topave. Vasa u fundos në thellësi, duke marrë me vete të paktën 30 dhe ndoshta rreth 50 nga 150 anëtarët e ekuipazhit. Duhet të kalonin 333 vjet para se Vasa të shihte përsëri dritën e diellit.

RIZBULUESI

Anders Franzén, një kërkues privat, e filloi kërkimin për Vasa-n në fillim të viteve 50-të. Që nga fëmijëria e tij, ai ishte magjepsur nga anijet e mbytura pranë shtëpisë së prindërve të tij në arkipelagun e Stokholmit. Krimbi i barkave, Teredo navalis, i cili asgjëson rrënojat e drunjta në ujë të kripur, nuk rritet në ujërat e kripura të Baltikut. Anders Franzén e kuptoi rëndësinë e këtij fakti për anijet që kishin humbur në Baltik, dhe në 1956 ai rizbuloi Vasa-n.

MADHËSHTORE PËR KOHËN E SAJ

Vasa u ndërtua në Stokholm nën drejtimin e ndërtuesit holandez të anijeve Henrik Hybertsson. Ai u ndihmua nga marangozë, zdrukthëtarë, skulptorë, bojaxhinj, xhampunues, velapunues, farkëtarë, dhe shumë artizanë të tjerë. Gjithsej katërqind persona punuan për Vasa-n.

Anija u ndërtua nën urdhërat e Gustav II Adolf, mbreti i Suedisë.Ndërtimi zgjati rreth dy vjet. Anija kishte tre direkë, mund të mbante dhjetë vela, me përmasa 52 metra nga maja  e direkut në kallumë dhe 69 metra nga bashi në kiç, dhe peshonte 1200 tonë. Kur u përfundua, ajo ishte një nga anijet më të fuqishme të ndërtuara ndonjëherë.

ÇFARË SHKOI KEQ?

Sot ne mund të llogarisim me saktësi se si duhet të projektohet një anije për të lundruar mirë. Në shekullin e 17-të përdoreshin tabela përmasash që ishin vlerësuar se funksiononin mirë në të kaluarën. Ne e dimë nga dokumente të kohës se planet për Vasa-n u ndryshuan pasi kishte filluar puna me anijen.

Mbreti donte një numër më të madh se zakonisht të topave në bord.Kjo do të thoshte se përmasat e zgjedhura për anijen nuk ishin më të përshtatshme dhe për ndërtuesit e saj kjo ishte mjaft e ndërlikuar. Ajo u ndërtua me një superstrukturë të lartë, me dy borde të mbyllur për topat. Fundi i anijes u mbush me gurë të mëdhenj që shërbenin si balast për ta bërë atë të qëndrueshme në ujë. Por Vasa ishte shumë e rëndë në pjesën e sipërme, dhe 120 tonë balast që mbante nuk ishin të mjaftueshme.

PSE U NDËRTUA VASA?

Vasa duhej të ishte një nga anijet kryesore të Flotës Suedeze. Ajo mbante 64 topa, shumica e tyre 24-paundë (ata gjuanin gjyle që peshonin 24 paundë ose mbi 11 kg). Suedia kishte rreth njëzet luftanije, por asnjë me aq shumë e topa aq të rëndë sa Vasa.

Vasa do të lundronte ndoshta drejt Polonisë, që kishte qenë armikja numër një e Suedisë për shumë vjet. Polonia sundohej nga Mbreti Sigismund, një kushëri i mbretit suedez (ata kishin të njëjtin gjysh nga babai). Sigismund kishte qenë një herë regjent i Suedisë, por ra nga froni për shkak të besimit të tij katolik.

PASI VASA U NGRIT

Pas disa vitesh përgatitje Vasa çau sipërfaqen më 24 prill 1961. Tani detyra ishte që ajo të ruhej. Një rrënojë që ka qenë nën ujë për një kohë kaq të gjatë nuk mund të lihet e patrajtuar. Me kalimin e kohës druri do të çahej dhe do të prishej.

Fillimisht Vasa u spërkat me ujë ndërsa ekspertët hartuan një metodë të përshtatshme për ruajtjen. Konservuesi i zgjedhur ishte glikol polietilen (PEG), një produkt i dylltë i tretshëm në ujë që depërton ngadalë në dru, duke zëvendësuar ujin. Spërkatja me PEG vazhdoi për shumë vjet.

SKULPTURAT

Bashkë me Vasa-n, mbi 14,000 objekte të shkëputura druri u rikthyen, përfshirë 700 skulptura. Këto u konservuan në mënyrë individuale dhe më pas u vendosën në vendet e tyre origjinale në anije. Kjo detyrë ishte si të zgjidhje një gjëagjëzë të madhe me bashkim figurash.

Luftanijet e shekullit të shtatëmbëdhjetë nuk ishin thjesht makineri lufte, ato ishin pallate lundruese. Skulpturat e nxjerra shfaqnin gjurma prarimi dhe boje. Analizat moderne tregojnë se ato ishin lyer me bojëra mjaft të ndezura mbi sfond të kuq. Skulpturat paraqesin luanë, heronj biblikë, perandorë romakë, krijesa deti, hyjni greke dhe shumë të tjera.  Qëllimi i tyre ishte të lartësonin monarkun suedez dhe të pasqyronin fuqinë e tij, kulturën e tij dhe ambiciet e tija politike.

CILA ËSHTË GJENDJA E VASA-S SOT?

Mirëmbajtja dhe kujdesi për Vasa janë një detyrë në vazhdim. Ruajtja e saj varet sidomos nga një klimë e qëndrueshme. Kur rrënojat e anijes u fundosën, bulonat e hekurit u ndryshkën, duke i nxirë trarët e lisit. Në fund ajo mbahej e bashkuar vetëm nga kunja druri. Lëndët ndotëse në ujë formuan sasi të mëdha squfuri që depërtuan në dru. Sot squfuri po del nga druri dhe reagon me oksigjenin për të formuar acid sulfurik. Acidi sulmon drurin, megjithëse është i padëmshëm ndaj
vizitorëve të muzeut. Kërkimi mbi ruajtjen afatgjatë të Vasa-s akoma
vazhdon.

VASA MAKINA E KOHËS

Kur Vasa u fundos, koha ndaloi. Ajo që u nxor në 1961 ishte një pjesë e paprekur e shekullit të 17-të. Secili nga mijëra objektet e gjetura kanë një histori për të treguar. Midis tyre ndodhen eshtrat e anëtarëve të ekuipazhit, si dhe gjërat e tyre personale dhe pajisjet e anijes.

Mes baltës dhe llumit në fundin e Vasa-s ekipi i shpëtimit gjeti gjashtë velat që nuk ishin vendosur në kohën e katastrofës. Ato janë velat më të vjetra ekzistuese dhe ishin aq delikate sa rrjeta e merimangës para se të konservoheshin. Kërkimi mbi objektet e gjetura ende vazhdon. Shumë objekte unike janë paraqitur në ekspozitat e muzeut, që rikthen në jetë një epokë të shkuar dhe njerëzit e saj.

VIZITA NË MUZEUN VASA

Orari i hapjes
Janar – Maj dhe shtator – Dhjetor
10.00 – 17.00, Të mërkurave 10.00 – 20.00
(Restoranti Vasa 10.00 – 16.00)

Qershor – Gusht
8.30 –18.00
(Restoranti Vasa 9.30 – 17.30)

31 Dhjetor
10.00 –15.00
(Restoranti Vasa 11.30 – 14.00)

Mbyllur 1 Janar, 23 – 25 Dhjetor

Hyrja

Të rriturit 130 korona suedeze
Fëmijët (0-18 vjeç) falas
Studentët (Dokument identifikimi i nevojshëm) 100 korona suedeze

Vizitat e muzeut në Anglisht zhvillohen disa herë në ditë.
Vizitat për grupe prej më shumë se 9 persona duhet të rezervohen
paraprakisht.

Filmi mbi Vasa shfaqet me titra në anglisht çdo orë në çdo ditë.
Ndjekja e filmit në gjuhë të tjera mund të rezervohet paraprakisht.
E-maili për rezervime: bokningen.vasa@maritima.se

Kështu shkoni te muzeu Vasa

Muzeu gjendet në ujdhesën Djurgården, djathtas pas urës Djurgården. Adresa ku mund të vizitoni muzeun është Galärvarvsvägen 14 në Stockholm.   Në këmbë prej stacionit qëndror hekurudhor në Stockholm (30 minuta) ose prej stacionit të metrosë në Karlaplan (10 minuta). Tramvaji nr. 7 prej sheshit Sergel/Hamngatan deri te stacioni Nordiska museet/Vasamuseet. Autobusi nr. 69 prej stacionit qëndror në Stockholm ose sheshit Sergel deri te stacioni Djurgårdsbron. Autobusi nr. 44 prej Karlaplan deri te stacioni Nordiska museet/Vasamuseet. Anija prej Slussen/Gamla stan e gjatë verës edhe prej Nybroplan u çon deri te Djurgården.  

Djurgården

Dikur një zonë gjuetie mbretërore, ishulli i Djurgården është tani një hapësirë fantastike çlodhjeje dhe argëtimi në qendër të Stokholmit, që vizitohet nga miliona njerëz çdo vit. Kuriozitetet e tij përfshijnë Skansen, muzeu i parë veror në botë, Junibacken me personazhet e dashura të librave për fëmijë të Astrid Lindgren, parku i lojërave Gröna Lund, Muzeu Vasa, dhe shumë të tjera.

Drejtuesit e vizitave

Parkimi është i disponueshëm për drejtuesit e vizitave jashtë muzeut.

Automjet privat

Parkimi është i pamjaftueshëm në Djurgården. Është më e lehtë të parkoni para se të arrini urën — në Strandvägen ose Narvavägen.